Partia Demokratike ka reguar pas ngjarjeve të fundit ku janë shënuar disa grabitje në harkun kohor të tre ditëve.
Mesditën e të premtes në aksin rrugor Kashar-Rinas u grabitën 2.7 milionë euro në dy blindat e një shoqërive private të sigurisë, të cilët po transportonin në drejtim të aeroportit paratë e një banke private.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, u shpreh se ngjarjet e fundit kriminale janë tregues se shtetit nuk i bëhet vonë për qytetarët.
Gjatë një deklarate për mediat, Duma ftoi qytetarët që t'i bashkohen protestës së opozitës më 18 shkurt si një revoltë edhe kundër krimit.
"Krimi, pushteti i krimit po dominon rrugët, po dominon shtëpitë, po dominon edhe aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit, edhe portin e Durrësit.
8 tonë drogë kanë kaluar në portin e Durrësit duke bërë sikur nuk i ka vënë re njëri, por në fakt realiteti s?mund të jetë kurrë i tillë.
8 tonë drogë nuk mund të kalojnë pa i dalluar askush por kalojnë me bekimin e shefave, të cilët sigurisht në këtë aferë dhjetëra miliona euro kanë marrë pjesë e tyre.
Në aksin Tiranë-Rinas, në pikun e trafikut janë vjedhur me grabitje të armatosur jo pak por tre milionë euro.