Pas akuzave të forta të ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, se bordi i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është antikushtetues, ka reaguar edhe shefja e operacionit, Genoveva Ruiz Cavalera
Në një letër adresuar ?atyre që mund t?u interesojë? Cavalera thotë se i është kërkuar të japë shpjegime shtesë pës letrës se komisionerit Hahn dhe në këtë kontekst shpjegon se ky bord është vetëm administrativ dhe ka për qellim të lehtësojnë bashkëpunimin mes Brukselit dhe Uashingtonit.
Genoveva Ruiz Cavalera: Së pari, përsa i përket natyrës dhe detyrës së Bordit të Menaxhimit të OMN ?së më lejoni të përsëris që ky bord ka një natyrë tërësisht administrative. Detyrat e tij mund të krahasohen me ato të Njësisë së Menaxhimit të Projektit dhe kanë për qëllim të lehtësojnë punën e përbashkët të Komisionit Europian dhe Qeverisë së SHBA, nën kryesimin tim.
Zonja Cavalera saktëson se bordi nuk merret me përzgjedhjen e kandidateve të komisioneve të vettingut dhe se vetë Operacioni vetëm monitoron dhe bën rekomandime për procesin, por vendimmarrja u mbetet institucioneve shqiptare.
Genoveva Ruiz Cavalera: Së dyti, me lejoni të theksoj se të gjitha rekomandimet në lidhje me përzgjedhjen aktuale të kandidatëve për formimin e organeve të vetingut dhe verifikimin në të ardhmen të gjyqtarëve do të kryhen nga vëzhguesit ndërkombëtare që kanë qenë ose do të caktohen nga ONM për këtë qëllim. Më lejoni gjithashtu të nënvizoj sërish se ONM është një operacion jo-ekzekutiv, qëllimi i vetëm i të cilit është të monitorojë dhe të sigurojë rekomandime përgjatë gjithë procesit të vetingut. Të gjitha vendimet ekzekutive i përkasin institucioneve të Shqipërisë.
Në dy letrat e tij drejtuar Presidentit të Republikës, kryeministrit dhe ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ministri i Drejtësisë Petrit Vasili ngre shqetësimin se në asnjë rresht të kushtetutës apo ligjeve shqiptare nuk flitet për bord monitorimi dhe se edhe në komunikimin e qeverise shqiptare me Brukselin për bordin është shkelur Kushtetuta./ TV KLAN