Zbardhet propozimi i FMN për taksën e pronës

RTV KLAN 2017-06-04

Views 1

Që prej tetorit të këtij viti, të gjithë qytetarët të cilët kanë një pronë në Shqipëri pritet të paguajnë një taksë prone. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një raport konfidencial të Fondit Monetar Ndërkombëtar të dorëzuar në Ministrinë e Financave, ku përcaktohet metodologjia dhe sugjerimet për vlerën e pronës.

FMN thotë se taksa duhet të mblidhet si një përqindje e vlerës reale të saj, dhe jo për njësi siç është sot.
Në kryeqytet një apartament i ri në çdo lloj zone paguan 30 lek/m2 nëse është në një godinë të re. Kjo nuk do të jetë më kështu. Fondi rekomandon që taksa të variojë nga 0.075% e vlerës të shtëpisë apo truallit, deri në 0.15%.

Të gjitha diferencimet do të bëhen me fasha, ku përqindja do të jetë më e ulët për ata që kanë prona me vlere modeste dhe më e lartë për shtëpitë e shtrenjta.

Nga kjo taksë nuk do të shpëtojnë as bizneset, dhe as pronarët e tokave. Në shembujt që jep FMN, një vilë në Tiranë 130 m2 me 500 metra parcelë përreth, duhet të pagujë çdo vit 226 euro.

Një apartament 65 m2 po në kryeqytet me vlerë 600 euro /m2 në hartën e tokave do të paguajë 49 euro në vit. Ndërsa për një tokë bujqësore prej 1.3 hektarësh do të paguhet 21 euro takse. Përmes këtij sistemi synohet që çdo vit të arkëtohen 75 milion euro të ardhura, të cilat do të shkojnë për buxhetin vendor.
Mbledhja do të bëhet përmes përpjesëtimit të shumës vjetore në faturën e energjisë çdo muaj. Ministria e Brendshme dhe Operatori i Shpërndarjes se Energjisë Elektrike kanë nisur punën për të bërë adresarin e të gjitha pronave, ku do të shkruhet edhe vlera reale e tyre. Sot, shumë shtëpi të cilat nuk janë të hipotekuara nuk paguajnë tatim mbi pasurinë. / TV KLAN

Share This Video


Download

  
Report form