Ky është autori i dyshuar i vrasjes së ish - Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Policia ka publikuar pamjet e largimit të tij nga vendi i ngjarjes, menjëherë pas krimit mbrëmjen e 8 Prillit. Pamjet janë marrë nga kamerat e sigurisë së një supermarketi aty pranë, si dhe të një lokali bar - kafe, të cilat kanë fiksuar lëvizjet e autorit të dyshuar të atentatit.
Personi duket i veshur me veshje sportive, bluzë ngjyrë blu, tuta të zeza dhe atlete që në pamje të parë duket si vrapues i zonës së liqenit. Në kokë mban një kapele. Ndërsa vrapon, ai fut duart në xhepa, ku hetuesit dyshojnë se ka qenë duke fshehur së paku një prej armëve të përdorura në krim.
Pavarësisht kësaj, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë pasur dy armët që janë përdorur në këtë atentat. Pamjet janë regjistruar rreth orës 20:15 minuta të mbrëmjes së të shtunës. Policia dyshon se pas krimit, autori ka ndjekur një rrugë pranë pallatit të Cukut, për të dalë më pas në rrugën "Marko Boçari".
Më pas, ai përmes rrugicave dyshohet se ka dalë pranë sheshit Wilson, ku edhe u gjet e hedhur një qese me rroba. Për identifikimin e tij policia ka vënë edhe një shpërblim prej 3 milion lekësh të reja./Tv Klan