Gjatë vitit 2016 ritmi i zhvillimit të ekonomisë shqiptare u rrit më tej (në afro 3.5 për qind), ndërkohë që treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, fiskal dhe financiar u përmirësuan. Autoritetet vijuan të ndjekin axhendën e tyre të reformave, me objektiv nxitjen e potencialit të rritjes dhe rritjen e elasticitetit të ekonomisë.
Programi i mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i porsapërfunduar, ka shërbyer si instrument në këtë drejtim. Këto janë disa nga konkluzionet e raportit, të përgatitur nga ana e Pier Carlo Padoan, ministër italian i Ekonomisë, për Fondin Monetar Ndërkombëtar, lidhur me ekonominë e Shqipërisë. Raporti përfshin analiza edhe për vende të tjera të rajonit.
Duke ndjekur investime më të mëdha private, konsumin e rritur dhe rimëkëmbjen e eksporteve, përshpejtimi i ekonomisë solli një rënie të konsiderueshme të shkallës së papunësisë (14.5 për qind në fund të vitit 2016, nga 17.7 për qind në fund të 2015-ës). Inflacioni bazik dhe ai tërësor nisën të rriten drejt kapjes së objektivit që ka përcaktuar Banka e Shqipërisë për inflacionin.
Deficiti i llogarisë korrente u zvogëlua, duke përfituar nga eksporte më të larta, ndërkohë që përshpejtimi i investimeve të huaja direkte në energjetikë dhe në industrinë nxjerrëse lehtësoi kërkesat për financim.