http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Nga negociatat që do të zhvillohen të martën, nën drejtimin e kreut të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister, do të varet ecuria e raundit të tretë të votimit të Presidentit të ri të Republikës, i vendosur të mbahet të enjten më datë 27 Prill. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u është kërkuar deputetëve që të gjithë të jenë në seancën plenare, e cila do të ndahet në dy pjesë: në të parën do të diskutohet rendi normal i ditës dhe pjesa e dytë, ajo e raundit të tretë për votimin e kreut të ardhshëm të shtetit. Por, sa i takon pjesës së dytë, gjithçka do të varet ekskluzivisht nga çka do të prodhojnë negociatat. Mazhoaranca ka djegur të dy raundet e para të votimit, me qëllimin për t?i dhënë më shumë kohë arritjes së një marrëveshjeje politike me opozitën, që kjo e fundit të bëhet pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, si dhe për ndërprerjen e bojkoti parlamentar dhe përfshirjen e saj në zgjedhjet politike të 18 Qershorit. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit. Nga këto, sipas përcaktimeve në ligjin themeltar të shtetit, në 3 raundet e para kandidati duhet të marrë të paktën 84 vota deputetësh, ndërkohë që në raundin e 4-t dhe të 5-të, Presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë votash, 71 të tilla. Nëse Parlamenti nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës, në asnjë prej të 5-ta raundet e votimit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.