Teksa thekson se nuk ka miratuar lejen për mbajtjen e protestës së zhvilluar sot nga opozita, Policia e Shtetit deklaron se për organizatorët dhe shkelësit e ligjit do të ketë ndjekje penale.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, policia thotë se përgjatë këtyre tubimeve janë dokumentuar shkelje të ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve. Për këtë, Policia ka përpiluar materiale që do të referohen për fillimin e çështjes penale në Prokuroritë e rretheve gjyqësore respektive, Tiranë, Kurbin, Elbasan e Lushnje.
Në deklaratën e saj, policia nënvizon se nuk do të tolerojë askënd që i bie ndesh ligjit dhe do të kërkojë nga organet e tjera ligjzbatuese të njëjtë përgjegjshmëri në kryerje të detyrës.