Një atentat me eksploziv ndaj një personi dështoi paraditen e së shtunës në qendër të qytetit të Elbasanit. 300 gramë C4 u gjet poshtë një automjeti Golf 4. Ai u zbulua nga përdoruesi i makinës, pasi në momentin që hapi derën dëgjoi zhurmën e shpërthimit të kapsollës.
Diçka nuk funksionoi dhe eksplozivi nuk shpërtheu.
Me lajmërimin e policisë u bë menjëherë rrethimi zonës. Blutë krijuan një perimetër sigurie, duke bllokuar rrugën dhe larguar njerëzit deri në mbërritjen e specialistëve Antieksploziv nga kryeqyteti.
Forcat Antieksploziv e çaktivizuan me shpërthim të kontrolluar lëndën plasëse. Eksplozivi ishte lidhur me një celular dhe sipas hetuesve tentativa për ta aktivizuar u bë në distancë.
Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje pronarin e mjetit, me inicialet F. V, por edhe persona të tjerë të cilët përdorin këtë makinë.
Pas më shumë se dy orësh u kthye normaliteti në një nga zonat më të populluara në Elbasan.
Tv Klan