Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Ashtu siç ishte parashikuar edhe pak ditë më parë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shetetit, Hoyt Brian Yee mbërriti në Tiranë në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ai ka pasur një axhendë të ngjeshur me liderët e tre partive kryesore në vend. Në fokus të bisedës mes tyre, mësohet se ka qenë paketa e David McAllister, për të cilën Yee ndan bindjen se është e duhura për të zgjidhur ngërçin politik.
Fillimisht ai është ndalur në selinë e kryeministrisë ku për rreth 80 minuta ka zhvilluar një bisedë me Edi Ramën. Diskutimet kanë vijuar pak metër më tej në selinë e Kryesisë së Kuvendit ku Yee ka diskutuar me Presidentin e Zgjedhur Ilir Meta mbi krizën politike. Ky i fundit pas takimit ka nënvizuar se bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë forcat për tu përfshirë në procesin zgjedhor. Po ashtu Meta ka shtuar se dialogu dhe gjithëpërfshirja janë vendimtare për procesin e integrimit.
Pas mesditës Yee ka nisur dhe takimin me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, në përpjekjet për të gjetur pikat e kompromisit mes palëve.
Takimit të nisur me Bashën, i janë bashkuar më pas dhe aleatët e selisë blu. Burimet kanë bërë të ditur se në qendër të diskutimit është kthyer sërish paketa McAllister, ku u propozua shtyrja e zgjedhjeve në fund të muajit korrik si dhe ndryshimi i 4 ministrave me emra që do të propozohen prej Partisë Socialiste por të pranuar nga opozita. Hoyt Brian Yee është parë në një mëngjes pune në hotel Plaza, me Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ku tema e diskutimit mendohet të jetë situata politike në vend.
Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/vendi/mesazhi-i-yee-deputetet-smund-te-heqin-pergjegjesine-duke-bojkotuar-parlamentin/