SHIJAK-Protestojnë banorët e fshatit Hardhishtë të Shijakut për rrugën e cila sipas tyre po ndërtohet pa kriter.
Ndryshe nga herët e tjera ku banorët protestonin për mosprishjen e avllive dhe banesave të tyre, sot ata kërkojnë shembjen e një pjese të murit mbrojtës të banesës së një bashkëfshatari të tyre, për të realizuar projektin e ndërtimit të rrugës në fshat.
Më konkretisht këta banorë kërkojnë ndryshimin e projektit të rrugës që po ndërtohet nga bashkia në zonën e tyre. Ata kanë kërkuar që firma kontraktuese të ndërpresin punimet deri në momentin që bashkia të ndryshojë projektin.
Banorët tentuan sot të bllokonin punimet, ndërkohë që policia bashkiake dhe ajo e rendit ishin prezente për të mbajtur nën kontroll situatën. Sipas banorëve, bashkia po mban qëndrim të njëanshëm dhe po dëmton një pjesë tjetër të banorëve.