Temperaturat e larta që kanë prekur vendin tonë ditët e fundit, janë kthyer në shkaktarin kryesor të zjarreve.
Ndërkohë që ditën e djeshme ishte lajmëruar për 2 vatra zjarri në Fier dhe Elbasan, ditën e sotme Emergjencat Civile bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shfaqur 11 vatra të reja zjarri në qarkun e Tiranës, Shkodrës, Dibrës, Fierit, Beratit dhe Elbasanit.
Situata më problematike mësohet të ketë qenë në qarkun e Fierit, Beratit dhe Dibrës, ku si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej 15.5 hektarë me shkurre dhe ferra si dhe 500 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.
Në Qarkun e Dibrës, situata vazhdon të mbetet problematike, pasi për shkak të terrenit të thyer automjetet e zjarrfikësve nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shuarjen e kësaj vatre zjarri, ndërkohë që për shuarjen e këtij zjarri janë angazhuar forca vullnetare, por erërat e forta vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve.