Bashkia e Tiranës po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do t'i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e mërkurë. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.
Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Ne relacionin e bashkisë theksohet se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018.
Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.
Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.