Dhënia e lejeve të qarkullimit për makinat mund të jepet me koncesion. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Transporteve thanë për Report TV se kjo ministri po shqyrton një ofertë të ardhur nga një kompani gjermane, e cila kërkon që të administrojë këtë shërbim që deri tani jepet nga Drejtoria e Transportit Rrugor.
Në mungesë të plotë të transparencës së kësaj procedure, Ministria e Transporteve nuk pranon të jap as emrin e kompanisë gjermane që është ofruar për të marrë me koncension shërbimin e Lejeve të Qarkullimit.
Mbajtja në fshetësi e kësaj procedure, e cila mësohet se ka marrë edhe konfirmimin e kryeministrit, mbulohet me mister për faktin se cila është kompania gjermane dhe cila është kompania shqiptare apo biznesmeni shqiptar që qëndron pas saj.
Burime zyrtare nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se ajo është vetëofruar dhe shpreh interesin për të administruar procesin e dhënies së lejeve të qarkullimit.
Kjo do të thotë se, një person kur blen një makinë dhe kërkon nxjerrjen e lejes së qarkullimit, nuk do të shkojë më Pranë Drejtorisë së Transporteve, por tek zyra rajonale e kësaj kompanie koncesionare.
Kjo kompani, kundrejt pagesës do të ofrojë këtë shërbim që deri më tani qytetarët e merrnin në sportelet shtetërore.