Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar "End of July", duke vënë në pranga 2 persona, babë e bir. Ata u kapën me plot 55 kilogramë kanabis.
Të arrestuarit janë Avni Elezi, 34 - vjeç dhe babai i tij Bajram Elezi, 66 - vjeç, banues në fshatin Mener.
Operacioni që çoi në kapjen e tyre nisi pas informacioneve për shitje të sasive të konsiderueshme të kanabisit në zonën e Kamzës.
Kështu, të hënën policia i pikasi babë e bir pranë një qendrë tregtare, tek 'kthesa së Kamzës'. Ata po lëviznin me një makinë "Ford Focus", që e drejtonte djali 34 - vjeçar.
Gjatë kontrollit në makinë u gjet një letër e bardhë brenda të cilës kishte bimë kanabisi. Duke qënë në kushtet e flagrancës, policia ushtroi më pas kontroll në banesën e 34 - vjeçarit.
Në prezencën e babait të tij Bajram Elezi, në korridorin e një magazine u gjetën dy fuçi ngjyrë të kuqe me kanabis, duke bërë që të dy familjarët të përfundonin në pranga./tvklan.al