TIRANE-Parku te Liqeni Artificial është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.
Zjarri ka nisur në shkurre, ndërsa ka përfshirë edhe pemët për disa minuta.
Vatra e zjarrit është regjistruar rreth orës 14:00, ndërsa pas njoftimit ka mbërritur policia dhe zjarrfikësja.
Punonjësit e zjarrfikëses, qytetarët dhe gazetarët e Report Tv kanë shuar flakët duke izoluar vatrën e zjarrit në pak minuta.
Policia ka ndaluar një person të alkoolizuar, pasi dyshohet se ka vendosur zjarrin qëllimisht.
Sipas policisë së kryeqytetit, Arben Guga 53-vjeç u ndalua, pasi sipas të dhënave të para vendosi qëllimisht zjarrin në Parkun te Liqeni Artificial.
Javët e fundit vendi është përfshirë nga disa vatra zjarri nga veriu në jug si pasojë e temperaturave të larta, por edhe zjarrit të qëllimshëm.