Njëri nga njerëzit e afërt të akademikut Ylli Popa, ish-kryeministri Aleksandër Meksi në një lidhje telefonike për Report Tv tregon njohjen, sfidat, diskutimet dhe takimet e fundit me profesorin dhe mjekun e njohur, që ndërroi jetë pasditen e djeshme.
Aleksandër Meksi shprehet se Ylli Popa ka qenë një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, që krijoi shkollën e Kardiologjisë, ngriti Akademinë e Shkencave, kontribuoi në demokratizimin e Shqipërisë por mbi të gjitha ishte edhe një njeri me zemër të madhe.
Zoti Meksi si e kujtoni akademikun Ylli Popa?
Tani, pasi mora lajmin po u bëja një mesazh të afërmve të tij, është një humbje e madhe. Ylli është një ndër themeluesit e Kardiologjisë shqiptare. E kam vlerësuar si një ndër intelektualët më të shquar shqiptarë, një njeri me zemër të madhe. Një ndër profesorët më të mirë shqiptar, i cili ka krijuar një shkollë të vërtetë të Kardiologjisë. Ishte mbi të gjitha njeri, dhe realisht humbëm një njeri të madh, por sikur dihet jeta i ka këto.