Rreth 725 kg lëndë narkotike e llojit kanabis është sekuestruar nga policia gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në Vlorë në vijim të operacionit të koduar "Mesnata".
Droga është gjetur në një vilë katërkatëshe në lagjen "24 Maji" e cila shfrytëzohej për banim dhe biznes, ndërsa janë arrestuar si posedues të saj dy persona Artan Kalemi, 34 vjeç dhe Xhemil Kalemi, 41 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Pas peshimit, lënda narkotike rezultoi të ishte 725 kg e 200 gr. Gjithashtu janë sekuestruar edhe dy automjete të cilët dyshohet se do përdoreshin për transportimin e kanabisit.
Operacioni është kryer nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me repartin "Delta Forcë".
Sekuestrimi i 725 kg droge në Vlorë vjen një ditë pas operacionit të policisë italiane në brigjet e San Bendetos ku u kapën 2.3 ton lëndë narkotike e dushuar me origjinë nga Shqipëria.