Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vlerësuar integrimin e komuniteteve të ndryshme në Shkup të Maqedonisë, për këtë ai ka falenderuar homologun e tij në kryeqytetin maqedonas Koce Trajanovski.
Veliaj: Është një shembull i mirë që bashkëjetesa është e mundshme dhe funksionon, dhe Shkupi meriton respekt për këtë qasje. Zoti kryetar dua t?u garantoj që jeni një mik shumë i nderuar në qytetin tonë dhe keni gjithmonë një derë të hapur në këtë qytet, ju dhe çdo qytetar i Shkupit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ai i Shkupit, Koce Trajanovski kanë nënshkruar marrëveshje binjakëzimi, të cilat angazhon që të bashkëpunojnë në projekte dhe fusha të caktuara. Dy krerët e bashkive diskutuan mbi sfidat e zhvillimit dhe të mirëqeverisjes me të cilat përballen sot Bashkia e Tiranës dhe ajo e Shkupit.
Veliaj: Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy shteteve tona, por besoj se sot gjithmonë e më shumë siç është diplomacia kulturore, diplomacia ekonomike, diplomacia klasike, është diplomacia e qyteteve që është ndoshta dhe më efiçente dhe më praktike në terma konkretë të bashkëpunimit. E kam përgëzuar kryetarin e Bashkisë së Shkupit për zhvillimet fantastike që kam parë atje, për shtimin e hapësirave publike, për transportin publik dhe menaxhimin e ndërmarrjeve të qytetit, dhe mbi të gjitha për punën e vështirë, por të suksesshme, në menaxhimin e krizave jo të zakonta, siç ishin përmbytjet apo tërmetet.
Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe binjakëzimin mes dy qyteteve, si një nga dokumentet më të larta për qeveritë vendore të dy vendeve tona.
Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/vendi/veliaj-pret-homologun-nga-shkupi-firmosin-marreveshje-binjakezimi/