Treshja e gjyqtarëve që do të gjykonte ish-deputetin Mark Frroku në Gjykatën e Apelit të Tiranës kanë dhënë dorëheqjen nga ky proces.
Shkëlqim Mustafa, Fatmira Hajdari dhe Andi Civici me argumentin se e kanë gjykuar njëherë Frrokun janë tërhequr duke bërë që të dështojë seanca e parë e këtij procesi. Pritet që administrata e Gjykatës të rihedhë dhe njëherë shortin për këtë dosje për të caktuar një trupë tjetër gjyqtarësh.
Në 21 Prill të këtij viti ish-deputeti u dënua me 7 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm. Gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Bruksel në vitin 1999.
Ky vendim u kundërshtua nga Prokuroria e cila kishte kërkuar 25 vite burg për Frroku. Apelit iu drejtua dhe pala mbrojtëse e cila kundërshton masën e dënimit dhe akuzat e ngritura për ish-ligjvënësin.
Tv Klan