Qeveria është e vendosur që t?i shkojë deri në fund aksionit që do të nisë pas dy javësh për pastrimin e të gjitha akseve kombëtare nga hyrje - daljet e paligjshme dhe tabelat e reklamave.
Në një intervistë për televizionin Klan, Spartak Tarka, drejtor i standardeve në Autoritetin Rrugor, thotë se përveç mijëra tabelave të cilat janë vendosur në mënyrë të paligjshme në rrugë, ka 1000 pika karburantesh që nuk kanë marrë leje për të patur akses në segmentet kombëtare. Fati i përfundimtar i tyre, do të jetë bllokimi i kalimit në rrugë.
Por çfarë garancie ka që nyjet e paligjshme nuk do të rihapen më? Ndryshimet në kod e parashikojnë ndërtimin e paligjshëm vepër penale.
Spartak Tarka thotë se për prishjen e këtyre ndërtimeve do të kërkohet edhe ndihma e Policisë së Shtetit. Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë është duke ngritur një grup pune i cili do të ndihmojë për fotografimin e të gjitha akseve kombëtare.
Aty do të evidentohet saktë sa është numri i ndërtimeve dhe tabelave që janë burim aksidentesh dhe cënojnë sigurinë rrugore e më pas do të fillojë prishja. Të gjitha subjektet kanë afat 2 javë për të bërë vetë zhvendosjen e godinave apo tabelave.
Tv Klan