Tragjedi në Durrës, digjen në banesë trinjakët 3 - vjeçarë

RTV KLAN 2018-05-02

Views 1

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në Romanat të Durrësit.

3 fëmijë (trinjakë) vetëm 3 - vjeç kanë humbur jetën, pasi shtëpia e tyre u përfshi nga flakët.

Sipas një njoftimi paraprak të policisë, ngjarja e rëndë ndodhi në një shtëpi private në pronësi të Gëzim Konçit.
Zjarri mësohet se ka rënë rreth orës 17:30 dhe fëmijët kanë qenë të vetëm brenda në shtëpi.

Nga dëshmitë e marra në vendngjarje, mësohet se nëna e fëmijëve, Migena Konçi kishte shkuar për vizitë me dy vajzat tek e ëma, ndërsa i shoqi po punonte në një fshat tjetër.

Flakët në banesë janë konstatuar nga fqinjët, të cilët ka njoftuar familjarët dhe zjarrëfikset.

Pavarësisht përpjekjeve për t'u futur në banesën e përfshirë nga flakët, për të miturit nuk është mundur të bëhet asgjë.

Ata u gjetën të asfiksuar.
Zjarri dyshohet se ka rënë në dhomën ku ndodheshin fëmijët.

Në një reagim paraprak për ngjarjen, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial tha se zjarri nuk ka lidhje me bombol gazi dhe fëmijët kanë qenë të mbyllur në dhomë, ndërsa dritarja ka qenë me hekura.

Sipas Inspektoratit, të miturit dyshohet se kanë qenë duke luajtur me shkrepse kur ka ndodhur ngjarja.

Nga ana tjetër, shërbimet e zjarrfikëses nuk përjashtojnë mundësinë që zjarri mund të ketë rënë si pasojë e një shkëndije elektrike.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të saj.

Familja Konçi mësohet se ka edhe dy vajza më të mëdha në moshë. /tvklan.al

Share This Video


Download

  
Report form