100 subjekte janë penalizuar me mbyllje të aktivitetit pas kontrolleve që agjentët tatimorë kanë kryer në vijim të fushatës anti-informalitet dhe luftës kundër evazionit fiskal. Bëhet fjalë për biznese të paregjistruara apo subjekte që nuk lëshonin kupon tatimor.
Sipas administratës tatimore deri më tani në shkallë vendi janë kontrolluar 3 023 subjekte nga të cilat 650 janë konstatuar me shkelje.
Në njoftimin e saj administrata Tatimore i fton subjektet e paregjistruara që të mos ushtrojnë aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe thekson se është e vendosur të zbatojë ligjin, me tolerancë zero për të gjithë ata tatimpagues të cilët rezultojnë jo formalë. E njëjta gjë vlen edhe për çdo subjekt tregtar që kryen evazion fiskal.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërkohë inkurajon çdo sipërmarrës të ndershëm si dhe qytetarët, të denoncojnë rastet e paligjshmërisë kudo ku ata i ndeshin ato./Tv Klan