Ministria e Arsimit ka gati skemën se si do të rriten pagat për mësuesit. Rrija prej 40% e premtuar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, do të bëhet brenda disa viteve. Burime nga MASR bëjnë me dije se rritja e pagave për të gjithë mësuesit do të bëhet me kategorizim.
Fillimisht pagat do të rriten deri në muajin prill 2018. Burimet sqarojnë se çdo vit do të bëhet rritje e pagave të mësuesve derisa të arrihet në shifrën 40% më shumë, brenda mandatit 4-vjeçar të qeverisë. Kjo do të thotë se pagat për mësuesit e arsimit të ulët nga 38 mijë pritet të jenë 53 mijë e 200 lekë të reja. Ndërkohë për mësuesit e ciklit 9-vjeçar pagat pritet të rriten me 17 mijë lekë. Nga 43.000 që janë sot, pagat për këtë kategori mësuesish pritet të bëhen rreth 60 mijë lekë.
Rritja më e madhe do të bëhet për mësuesit e shkollave të mesme. Sot paga e tyre mesatare është rreth 55 mijë lekë dhe rritja do të jetë 22 mijë lekë. Pas disa rritjeve që do të bëjë Ministria e Arsimit, paga për mësuesit e shkollave të mesme, pritet të shkojë rreth 77 mijë lekë.