Katër oficerë të Policisë Gjyqësore kanë ushtruar kontrolle te banesa e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Për rreth dy orë, oficerët kanë kontrolluar në apartamentin e Tahirit te "Kodra e Diellit", pranë Komunës së Parisit, ndërsa kanë dalë prej aty rreth orës 16:00.
Oficerët kanë dalë nga banesa e Tahirit me dy valixhet e ekspertizës. Vetë ish-ministri i Brendshëm e ka ndjekur nga ballkoni kontrollin e banesës nga katër oficerët e policisë gjyqësore. Oficerët janë futur në banesën e deputetit pas autorizimit të Kuvendit një ditë më parë për të kontrolluar banesën e deputetit socialist.
Tahiri do hetohet në gjendje të lirë për akuzat për trafik droge me grupin e Habilajve, sipas dosjes italiane në ngarkim të grupit që trafikonte drogë nga Shqipëria në itali.
Zhvillimet minutë pas minute të ngjarjes:
Ora16:10 Del nga banesa e Tahirit edhe avokati mbrojtës Maks Haxhia
Pas katër oficerëve të Policisë Gjyqësore, nga banesa e Tahirit ka dalë edhe avokati Maks Haxhia. Avokati mbrojtës nuk ka preferuar të flasë për mediat.
Ora 16:00 Përfundon kontrolli banesës së Tahirit
Katër oficerët e Policisë Gjyqësore kanë përfunduar kontrollin në banesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas autorizimit të Kuvendit një ditë më parë dhe urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ushtruar kontroll në shtëpinë e Tahirit. Nuk dihet ende nëse oficerët kanë gjetur prova në banesën e Tahirit.