Ekskluzive - Për herë të parë pas 25 vitesh funksionim Gjykata Kushtetuese do t'i nënshtrohet kontrollit pas Reformës në Drejtësi, kontroll i cili do të bëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se këtë të enjte në Gjykatën Kushtetuese është hedhur shorti për të përzgjedhur 5 dosje gjykimi të çdo gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
Në total sipas të njëjtave burime janë përzgjedhur 35 dosje të cilat pas vlerësimit nga inspektoriati i KLD do t'i përcillen me një relacion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Këto dosje i përkasin gjykimeve të vitit 2013-2016, ndërsa relacioni i inspektoriatit të KLD do t'i bashkëngjitet relacionit të Inspektoriatit të deklarimit të pasurive dhe drejtorisë së informacionit të klasifikuar.
Gjyqtarët e Kushtetueses që do ti' nënshtrohen këtij kontrollit janë: Bashkim Dedja, Kryetar i rizgjedhur pak javë më parë, Vitore Tusha, anëtare, Altina Xhoxhaj, anëtare, Fatmir Hoxha, anëtar, Gani Dizdari, anëtar, Besnik Imeraj, anëtar, Fatos Lulo, anëtar. Pas këtij filtri nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarët kushtetues procesi i Vetting-ut do të shtrihet tek Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atyre të Këshillit të Prokurorisë.