TIRANE- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dëshmuar sot te Prokuroria e Krimeve të Rënda për dosjen "Habilaj", një ditë pasi kërkoi nga organi i akuzës që të pyetjej. Për rreth dy orë e 35 minuta, Tahiri është pyetur këtë të premte nga dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi. Ish-ministri ka qenë i shoqëruar nga avokatët e tij, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari.
Pas dëshmisë përpara Krimeve të Rënda, Tahiri ka folur për mediat duke deklaruar se është i gatshëm të hetohet deri në fund. Ai kërkoi nga politika që t'i japë fund akuzave në adresë të tij, duke theksuar se tashmë ai e ka betejën me drejtësinë. "Jam i gatshëm t'i shkoj të vërtetës deri në fund dhe jam disponibël t'i përgjigjem për çdo kërkesë Prokurorisë", u shpreh Tahiri. Ai kërkoi nga politika që të ndalë akuzat në adresë të tij, pasi çështja tashmë i takon drejtësisë. "Unë them se debati politik për këtë histori duhet të mbyllet, unë betejën time e kam përpara drejtësisë", tha Tahiri.
Dëshmia e Tahirit përpara drejtësisë vjen një ditë pas kontrollit të oficerëve të Policisë Gjyqësore në banesën e tij te Kodra e Diellit. I pyetur nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta nëse janë gjetur prova nga oficerët në banesën e tij, Tahiri nuk ka kthyer përgjigje. Një ditë më parë ishte vetë ish-ministri që ka kërkuar nga prokuroria përmes një shkrese që të pyetet për akuzat që ka ngritur ndaj tij. Deputeti Saimir Tahiri akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike të drejtuar nga Habilajt, akuzë për të cilën Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e tij, e cila u rrëzua.