Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ai theksoi se BE pret rezultatet e para të implementimit të vettingut, ndërsa përsëriti rëndësinë e përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe.
"Një nga rezultatet e para është ai që njihet si procesi i vettingut dhe unë pres që rezultatet e para t'i shohim në fillim të vitit. Ecuria dhe progresi me 5 prioritetet kyçe, është shumë i rëndësishëm për të ecur përpara".
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Komisioneri u shpreh se vendi ynë ka bërë progres në luftën kundër trafikimit të drogës, si dhe në uljen e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE. "Kjo është një arritje tjetër e madhe,, theksoi Hahn.
Komisioneri vlerësoi se të gjitha këto janë në rrugën e duhur. "Shqipëria është në rrugën e duhur", tha ai më tej.
Sipas Hahn "aspirata europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar i mbështetur nga të gjithë faktorët, partitë politike, qytetarët e media, i gjithë vendi duhet të jetë i bashkuar"
Ai shprehu gjithashtu angazhimin e BE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union.
"Duke u bazuar tek fjalimi i Presidentit Junker, për të ardhmen e të gjithë vendeve të Ballkani Perëndimor, ne do të nxjerrim një strategji për të gjitha vendet, dhe do të ketë edhe një samit të këtyre vendeve, në maj të 2018 -ës. Kjo tregon qartë angazhimin e BE, në lidhje me të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor". /tvklan.al