Para se të niste ushtrimin e profesionit të avokatit, Besnik Muço, i zhdukur që prej datës 2 nëntor 2017, kur u nis me traget drejt Italisë, ka punuar për një kohë të gjatë si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, dhe më pas ai u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme deri në vitin 1997. Pas lënies në këtë vit të detyrës si prokuror në organin qendror të akuzës, sipas familjarëve, Besnik Muço ka kërkuar azil politik në Itali.
Nuk dihen arsyet e kësaj kërkese dhe as nëse zhdukja e tij ka lidhje me ndonjë konflikt për shkak të detyrës. Mediat italiane raportuan këtë të shtunë se në brigjet e Leçes është gjetur në det një trup i pajetë dhe pa kokë, i cili dyshohet se i përket avokatit të zhdukur. Besnik Muço ishte nisur në datën 2 nëntor me traget drejt Italisë, ndërsa pas hipjes në traget nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Analizat e ADN-së
Mediat italiane raportojnë se kufoma është gjetur në brigjet e Leçes. Lajmi është publikuar nga ?Corriere Adriatico? ku thuhet se në 6 nëntor në provincën Castro (Leçes) është gjetur një trup i pajetë, i cili ishte në det prej shumë ditësh. Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se ky trup i përket avokatit Besnik Muço, por për të vërtetuar dyshimet do të bëhet analiza e ADN-së. Avokati Besnik Muço u nis nga Durrësi drejt Barit me traget në 2 nëntor. Mediat italiane shkruajnë se në zonë nuk është zhdukur ndonjë person tjetër, prandaj dyshohet se është trupi i Besnik Muços.
Rezultati i ADN-së pritet të dalë brenda disa ditësh nga trupi i gjymtuar për shkak të dallgëve dhe nga goditjet me shkëmbinjtë, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për avokatin e zhdukur ose jo. Kufoma është gjetur pa rroba dhe duket se nuk ka as kokë. Bashkëshortja e tij ka denoncuar në Itali zhdukjen e Besnik Muços, ndërkohë që në Shqipëri kanë nisur hetimet për rrëmbim personi. Besnik Muço jetonte prej 15 vitesh në Macerata të Italisë bashkë me gruan dhe dy fëmijët.
Pamjet filmike në Durrës
Policia shqiptare ka sekuestruar kamerat e sigurisë të portit të Durrësit për të zbuluar nëse është rrëmbyer avokati, por deri më tani nuk ka dalë ndonjë e dhënë. Besnik Muça sipas sistemit TIMS ka bërë ?Check-in? në Portin e Durrësit, drejt Barit dhe dyshohet se ai është zhdukur në tragetin e linjës Durrës-Bari. Besnik Muça punonte si avokat prej disa kohësh në Tiranës.