Zbardhen detaje të reja dhe pamjet e gomones me dy ton drogë, e cila u bllokua në Greqi pas një aksioni ku pati edhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa një skafist u plagos. Sipas medieve greke, gomonia u nis nga Jugu i Shqipërisë me destinacion Italinë.
Mediat greke kanë publikuar edhe foto brenda gomones, e cila ishte përshtatur për të transportuar sasinë e madhe të drogës që u sekuestrua. Gomonia u pikas në ujërat në veri të Korfuzit, ndërsa operacion i madh anti-drogë në shtetin grek u zhvillua pranë kufirit detar me vendin tonë. Ndjekja e gomones u bë nga ajri dhe deti për 22 orë, ndërsa u ndalua në ishullin Tzia pasi motorët e gomones u goditën nga snajperistet e policisë.
Në pranga kanë rënë 4 shqiptarë dhe 2 italianë. Fillimisht në gomone janë arrestuar 2 shqiptarë dhe një italian, ndërsa 3 të tjerët në një banesë. Njëri prej 6 të arrestuarve është i plagosur, por nuk dihet nëse është shqiptar apo italian.
Gomonia me të cilën po transportohej droga ishte 12 metra e gjatë, me 3 motorë nga 350 kuaj fuqi secili. Operacioni është kryer nga forcat e kufirit detar grek që janë pjesë e Marinës Ushtarake.