Shqipëria ka pagën më të ulët mesatare në Europë, pa përfshirë vendet e Ish Bashkimit Sovjetik.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Wikipedia, bazuar në informacionet e marra nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet përkatëse statistikore vendase, në Shqipëri, paga mesatare neto (pas taksave) është 347 euro në muaj, sipas të dhënave që janë përditësuar në tremujorin e parë 2017.Në këtë nivel, paga mesatare është më e ulëta në Europë, me përjashtim të Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës.
Wikipedia i referohet të dhënave të INSTAT për pagën mesatare në sektorin shtetëror, që ishte 56,500 lekë në fund të tremujorit të parë, ndërsa të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se paga reale në ekonomi, përfshirë edhe sektorin privat është akoma më e ulët. Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas group-profesioneve dhe gjinisë në fund të vitit 2016 ishte 45,845 lekë, pra rreth 334 euro bruto dhe 290 euro neto. Këtu ka ndikim edhe fakti që informaliteti i pagës në sektorin privat është shumë i lartë dhe një numër i madh subjektesh nuk deklarojnë pagën reale për të punësuarit e tyre(shënim i Monitor). Në krahasim me një vit më parë, paga mesatare në ekonomi ra me 2.1% në vitin 2016.