Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar për herë të parë debatin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
Përgjegjësi ekskluzive të Kuvendit e ka cilësuar kreu i shtetit, por ka shtuar se duhet dialog mes palëve, pasi sipas tij, zgjedhja e njëanshme e titullarit të organit të akuzës, nuk do ndihmonte në garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
"Për sa i takon çështjes së Prokurorit të ri të përgjithshëm sikurse ju e dini kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, si president dua të nënvizoj përderisa kemi të bëjmë me një cështje të rëndësishme të një institucioni kyç të drejtësisë, që duhet respektuar Kushtetuta dhe fryma e saj dhe është e rëndësishme që të ketë mes aktorëve kryesorë një dialog të shpejtë të përgjegjshëm dhe të bazuar mbi standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështje, pasi çdo hap i njëanshëm nuk do i ndihmonte pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së besimit të institucioneve të drejtësisë", u shpreh Meta.
Deklaratat e tij, Presidenti Meta i bëri gjatë takimit në Tiranë me homologun malazez, Philip Vujanoviç. Më herët, kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist se i lutej Lulzim Bashës që të reflektonte dhe të pranonte një zgjidhje të përbashkët për kryeprokurorin e ri, duke i përsëritur ftesën për dialog. Rama përmendi marrëveshjen që futi opozitën në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa paralajmëroi se në rast refuzimi nga pakica parlamentare, maxhoranca do ta zgjedhë e vetme Kryeprokurorin.