Në punimet e ?Forumit e Zhvillimit të Medias, gazetari Carlo Bollino ka renditur pengesat që hasin sot gazetarët në punën e tyre të përditshme. Bollino veçoi se 27 vjet më parë, problemi i punës së gazetarëve ishte qeveria e kohës, ndërsa në ditët e sotme mbetet krimi i cili kërcënon përfaqësuesit e medias.
"Në vitin 1993 ishin pak media, veç tre gazeta dhe përballja ishte me qeverinë atëherë. 25 vjet më vonë, situata është kaq problematike, edhe pse kërcenimet nga politika nuk janë si ato të 25 viteve më parë, por janë presione nga pronari, presione nga tregu. Gazetari ka probleme të raportojë nga disa vende të Shqipërisë për shkak të frikës nga krimi. Gazetari sot është i vetëm, është i izoluar nga shoqëria dhe kjo është një paradoks. Është i izoluar për shkak të politikës dhe anarshisë", tha Bollino.
Lajmet fake news, sipas Bollinos, janë krime profesionale. Ndërsa sa i takon të drejtës së autorit, Bollino propozoi një ligj për vetërregullimin e mediave ku të trajtohen edhe rastet e lajmeve fake news. Bollino tha gjithashtu se janë pikërisht lajmet copy-paste të cilat po përhapin edhe "fake news".
"Unë nuk jam për një ligj të medias të rregulluar nga shteti, por për ligj ku media të vetërregullohet. Kemi Kodin e Etikës të cilin shumica e gazetarëve nuk e njohin. Ju keni propozuar që të përfshijë edhe mediat online, por ky vlen edhe për mediat online e të gjithë gazetarët janë të detyruar të implementojnë parimet elementare, por shumica nuk i zbatojnë, nga verifikimi i lajmeve, burimi, moskopjimi. Krimi kryesor është vjedhja e autorësisë. Nisur nga kjo, unë dhe disa media online kemi bërë disa nisma që shkojnë në drejtim të vetërregullimit. Kemi bërë një përpjekje për ta filluar, pra në fund të çdo shkrimi, sa herë kemi marrë copy-paste të shënuar burimin me një link që të çon në webin e origjinës.