Reforma në Drejtësi dhe dosjet e përbashkëta të bandave kriminale të trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë kanë çuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme ambasadorin italian në vendin tonë, Alberto Cutillo.
Ky i fundit ka zhvilluar një takim të shkurtër rreth 30 minuta me Kryeprokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, të cilës i ka shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen totale për goditjen e grupeve kriminale, që veprojnë në vend, por edhe më gjerë.
Report Tv mësoi se kryediplomati italian diskutoi me kryeprokuroren Marku edhe për shumë dosje të tjera të përbashkëta mes shtetit italian dhe shqiptar, që përfshijnë grupet e trafikut të marijuanës dhe kokainës mes dy vendeve.
Një tjetër temë e nxehtë e diskutuar mes dy zyrtarëve të lartë ishte dhe Reforma në Drejtësi. Report Tv mësoi se ambasadori Cutillo ka ofruar mbështetje për zbatimin e kësaj reforme mjaft të rëndësishme, që pritet të luftojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nga ana e saj, Kryeprokurorja Marku vuri theksin te Vettingu, si një ligj shumë i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.