Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e cilëson të drejtë zhbërjen e Gjykatës Speciale në Kosovë. Në një intervistë për Televizionin Klan, Haradinaj thotë se pavarësisht pozicionit të forcës politike që ai përfaqëson, si kryetar i qeverisë do të respektojë vendimarrjen e parlamentit.
Ramush Haradinaj: ?Pozicioni im dhe i subjektit që udhëheq, aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kemi votuar kundër, kemi qenë kundër atëherë, jemi kundër sot dhe jemi kundër çdo herë, është një veprim i padrejtë ndaj Kosovës. Sido që të jetë Kosova ka marrë obligime për këtë gjykatë nga parlamenti dhe nëse parlamenti voton ndryshe e respektojmë, nëse mbetet ajo që ka votuar e respektojmë?.
Mediat në Kosovë shkruajnë prej ditësh se për shkak të qëndrimit të tij ndaj kësaj Gjykate, ambasada amerikane në Prishtinë i ka refuzuar vizën.
Por kryeministri e hedh poshtë këtë lajm, teksa thotë se ka edhe një lajm të mirë për të dhënë, si pajisja e tij me pasaportë shqitpare.
Ramush Haradinaj: "Mediave ju mungon viza, por mua jo. Unë do ta kem së shpejti vizën amerikane, njekohësisht kam edhe pasaportën shqiptare dhe këtë e quaj për nder".
44 deputetë të parlamentit të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, për të cilin thonë se kjo gjykatë nuk do të dënojë krimet, por kërkon të dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një nismë kjo që ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.