TIRANE - Një atentat me armë zjarri i mori jetën mbrëmjen e kaluar në Tiranë pranë ish-Parkut të Autobusëve, 32-vjeçarit, Emiljano Boçi.
Ai u qëllua për vdekje në automjetin e tij menjëherë pasi doli nga një restorant në kryeqytet i shoqëruar nga e dashura e tij dhe miku i tij Melvin Disha, 27-vjeç i cili mbeti i plagosur. Autori ka qëlluar nga pjesa e pasme e makinës "Range Rover" në drejtim të vendit të shoferit çka tregon se objektivi ka qenë pikërisht viktima.
E dashura e 32-vjeçarit i ka shpëtuar mrekullisht plumbave të këtij atentati, ndërsa mësohet se ka qenë ajo e cila ka njoftuar forcat e policisë. Banorët përreth nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka shton dyshimet se atentatori ka përdorur armë me silenciator. Policia ka shoqëruar rreth 20 persona të dyshuar për ngjarjen, por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se pistat ku po heton policia është ajo për pazaret e drogës, pasi mësohet se Boçi lëvizte vazhdimisht në Gjermani dhe Holandë dy vitet e fundit ku dyshohet se merrej me trafik kokaine, ndërsa një tjetër pistë është edhe ajo e hakmarrjes.