Me një Udhëzim të datës 19 janar, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka caktuar fondi prej 500 milionë lekësh të reja, ose 3.7 milionë euro, si fond të veçantë për të gjitha institucionet publike qendrore. Sipas ligjit, fondi i veçantë i Buxhetit nuk është pjesë e fondit të pagave të administratës publike. Ai alokohet dhe mund të përdoret vetëm me miratimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Në përputhje me një vendim të mëparshëm të qeverisë, fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% të fondit të pagave. Ai mund të përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë; shpërblimin e punonjësve në fund të vitit kalendarik; shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore; dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera apo edhe veprimtari social-kulturore.