Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se pala shqiptare ka pranuar zgjerimin e zonës bregdetare kombëtare greke, në 12 milje. Çfarë do të thotë teknikisht 12 milje?
"Baza ligjore për ndarjen e hapësirës ujore mes dy shteteve është Konventa Mbi të Drejtën e Detit. Në bazë të kësaj Konvente, çdo shtet mund të deklarojë deri në 12 milje detare. Mund të deklarojë, 3, 6, 12, por jo më shumë se 12. Në rastin e pozicionit gjeografik që ka Shqipëria me Greqinë, nuk mund të zbatohet kjo distancë, 12 milje. Distanca 12 milje mund të zbatohet në ujërat detare që janë në det të hapur. Në kanalin e Korfuzit bie fjala, që është më pak se dy milje detare, sqaroj që 1 milje është 1 852 metra, pra më pak se 2 kilometra, dhe aty ku Kanali i Korfuzit është më pak se 2 milje, nuk ka sens dhe tingëllon qesharake që të merret tani dhe do zgjerohet 12 milje detare. Në këto raste zbatohet vetëm neni 15 i kësaj Konvente, që thotë se për vendet që janë përballë njëri-tjetrit dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të pasur mbi 12 milje, pra nuk janë më shumë se 24 milje larg njëri-tjetrit, atëherë hapësira ujore ndahet mes për mes. Dhe në marrëveshjen e 2009-ës, ne kemi zbatuar rigorozisht barazdistancën. Ne nuk mund të pengojnë një shtet që të mos deklarojë ujërat territoriale deri në 12 milje".
Zoti Gerveni, a i ndryshon ky përcaktim koordinatat e arritura në marrëveshjen e 2009-ës?
"Nuk ndikon fare. Unë pres që dhe negociatat që do të zhvillohen, do të jenë pak a shumë plus minus, në ato rezultate. Ajo zhurmë e madhe që u bë, që janë falur 300 kilometra, do të shuhet shumë shpejt dhe do të shikohen se është zbatuar rigorozisht Ligji Ndërkombëtar i Detit. Dhe unë shpresoj shumë që edhe në negociata e reja që do të bëhen, ai ligj do të respektohet dhe Shqipëria të mos humbasë asnjë metër katror".
Tv Klan