Report Tv ka shkuar këtë paradite në vendin ku ndodhi atentati ndaj biznesmenit Memli Begalla, në kryeqytet, mbrëmjen e kaluar, ku ka biseduar me fqinjët e të ndjerit, të cilët duken të tronditur nga ngjarja. Report Tv ka arritur të flasë me një prej fqinjëve të biznesmenit të ekzekutuar me plumb në kokë, i cili tha se Memli ishte njeri i mirë dhe nuk ishte problematik.
Shtetasi Selami Maho, fqinj i viktimës, është shprehur për Report Tv se Begalla ishte një njeri i mirë dhe familjarë i rregullt. Ai ka shtuar se ngjarjen e rëndë e ka marrë vesh vetëm kur ka mbërritur policia dhe ka rrethuar pallatin.
"Memli nuk ishte problematik. Ishte njeri i mirë. Për herë të fundit e pashë dje Memli Begallën, po rregullonte makinën poshtë ballkonit tim. Ishte prind i dy djemve dhe familjarë i rregullt. Nuk dëgjova krisma kur ndodhi ngjarja. Vrasjen e mësova kur erdhi policia dhe rrethoi oborrin. Nuk dëgjova as për ndonjë zënkë në oborr", ka deklaruar fqinji i Begallës.