Gjatë interpelancës së thirrur në kuvend me Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri opozita i cilësoi skemë mafioze kontratat për ngritjen e tre inceneratorëve në Tiranë, Elbasan e Fier.
Jorida Tabaku: "Pse është zgjedhur për të tre Klodian Zoto, një partner i regjistruar me një dhomë e një guzhinë merr tre koncesionet pa garë".
Ministri i Energjisë sqaroi se e gjithë procedura e ndjekur ishte në përputhje me ligjin dhe e ftoi opozitën të kërkojë hetim parlamentar.
Damian Gjiknuri: "U bë e shpejtë e pa procedurë sepse Elbasani kishte emergjencë kombëtare për djegien dhe ishte bërë krematorium i gjallë. Ligji përcakton procedurë pa shpallje emergjente".
Në replikë u përfshi edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili sqaroi se ngritja e inceneratorëve është një kërkesë e hershme e demokratëve, për të cilën sipas tij qeveria Berisha kishte miratuar edhe një strategji në vitin 2012.
Ahmetaj hodhi poshtë edhe akuzat e ngritura nga kreu i demokratëve Lulzim Basha se pas koncensionit të marrë nga biznesmeni Klodian Zoto fshihet kreu i financave.