Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të vizitojë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nga 25 në 28 Shkurt. Ndonëse axhenda e presidenti Juncker nuk është finalizuar ende, burimet e Komisionit Europian bëjnë të ditur se ai pritet të mbërrijë në Shqipëri në mbrëmjen e 25 Shkurtit. Mesazhi kryesor i vizitës së Juncker pritet të jetë zgjerimi i unionit me vendet e Ballkanit para samitit të Sofjes së 17 Majit.
"Mesazhi kryesor i vizitës së presidentit Juncker është esenca e strategjisë së Komisionit Europian të 6 Shkurtit për qasjen e Bashkimit Europian ndaj rajonit të Ballkanit, jo vetëm për rëndësinë gjeostrategjike të rajonit, por edhe lidhur me 6 prioritetet specifike ku mbështetet kjo strategji. Do të jetë një oportunitet për presidentin Juncker të bisedojë me liderët e vendit, klasën politike dhe shoqërinë civile, për t'ju shpjeguar strategjinë tonë. Ky është një moment i rëndësisshëm, pasi të gjithë liderët do të mblidhen më pas së bashku me presidentin Juncker dhe kruyeministrin bullgar Borisov në samitin e Sofies të 17 Majit".
Presidenti Juncker e fillon vizitën e tij me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por Komisioni Europian nuk jep detaje të mëtejshme nëse kreu i ekzekutivit europian do të shpallë në Shkup dhe Tiranë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave me dy vendet.
"Nuk do të spekuloj për asnjë aktivitet që do të ndodhë gjatë turit të presidenti Juncker në Ballkan. Mendoj se mesazhet tona përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë janë shpjeguar qartë në komunikimin tonë të 6 Shkurtit. Mendoj se perspektiva e një angazhimi për një zgjerim të besueshëm është e përfshirë në strategjinë tonë në kontekstin e duhur dhe sekuencat e duhura. Nuk do të shkoja përtej strategjisë së 6 Shkurtit".
Presidenti Juncker do të përfundojë vizitën e tij në Ballkan me vizitën në Sofje.