http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në mungesë të votave për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Kryesia e kuvendit të Kosovës, pas rreth 1 orë e gjysmë debat, vendosi shtyrjen për të dytën herë të seancës.
Kreu i kuvendit Kadri Veseli, njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në orën 10.
Më herët gjatë debatit në kuvend, Kryeministri Haradinaj, i bëri thirrje deputetëve të zhbllokojnë qytetarët në mënyrë që ata të lëvizin të lirshëm.
Lidhur me kërkesën e LDK-së e cila kërkon mospërfshirjen e raportit të Shpejtim Bulliqit në votim, Haradinaj theksoi se projektligjit nuk do t?i hiqet asgjë.
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, në replikën ndaj kryeministrit, kërkoi që ai të ruaje qetësinë me mënyrën se si i drejtohet ligjvënësve.
Ndërkohë, ai beri të ditur se partia e tij, është pro marrëveshjes e cila krijon hapësira për korrigjim.
Gjatë debatit në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të premteje, përfaqësuesit e PDK, AAK, dhe NISMA, u shprehën se janë të interesuar të gjejnë një zgjidhje në unitet dhe t?i japin qytetarëve të Kosovës të drejtën të lëvizin lirshëm.
Por, Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë Demarkacionin.
Shefi i grupit parlamentar Glauk Konjufca, u shpreh se liberalizimi i vizave nuk është më i rëndësishëm se ruajtja e territorit të Kosovës.
Lista Serbe, votat e së cilës janë vendimtare për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, nuk ishte e pranishme në seancë.
Ende nuk dihet nëse deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e të mërkurës, javën e ardhshme, kur në Kosovë pritet të jetë dhe delegacion i lartë i Bashkimit Europian.