Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga vendimi i Presidentit për të bllokuar dhënien e autorizimit për ministrin e Jashtëm për të nisur negociatat me palën greke për zgjidhjen e çështjeve që ende mbeten pezull mes dy vendeve, Kryeministri Rama duket i vendosur për të mos bërë asnjë koment.
Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, i cili është zhvendosur i gjithi në Berat këtë fundjavë, Rama ka ndarë me gazetarët vetëm qëndrimin që e bashkon me presidentin Meta.
E sa u takon HEC-eve, ndërtimi i njërit prej të cilëve u anulua pikërisht mbi kanionet e Osumit, Rama shprehet i vendosur për të kaluar në filtër të gjitha lejet e dhëna nga qeveria e kaluar, por dhe kërkesat i adresohen qeverisë së tij.
Ndërsa në një takim ku prezantuan projektet e qeverisë për qarkun e Beratit, Rama shton se do të refuzohet çdo kërkesë për HEC-e dhe gurore pranë zonave turstike.
Në sitën e kontrolleve do të kalojnë të gjitha guroret në vend edhe ato në malin e Krujës. Kreu i qeverisë theksoi se për Beratin kanë marrë dritën jeshile 235 projekte.
Tv Klan