TIRANE - Namik Pelivani, administrator i subjektit ndërtues ?Pelivani? sh.p.k, i akuzuar për ?Mashtrim?, ka rënë sot në prangat e policisë.
Ai është paditur pasi i ka shitur një personi një apartament të cilin më herët ia kishte shitur një personi tjetër. Pelivani i ka marrë A.L., 65 000 Euro dhe 3 350 000 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 107.69m2, në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t'i krijuar besueshmëri klientit.
Në cilësinë e provës materiale të dyshuarit iu sekuestruan: 6 kontrata noteriale si dhe dokumenta të ndryshme si certifikata, skica apartamentesh dhe 1 aparat telefoni celular. Ndërkohë, Namik Pelivani është arrestuar disa herë për akuzën e mashtrimit, por është lënë i lirë. Dy vite më parë ai u padit nga disa familjarë të zonës së Unazës së Re në Tiranë, në tokën e të cilëve ka ndërtuar një pallat, por nuk ka respektuar kontratën që kishte lidhur me pronarët për t'u dhënë apartamentet e premtuara.