PD kerkoi rrezimin e "20 Shkurtit", terhiqet pas reagimeve nga ish te perndjekurit

RTV KLAN 2018-05-12

Views 1

Dy javë pasi depozituan në Kuvend një nismë ligjore për shfuqizimin e 20 Shkurtit që njihet si dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe e përkujtimit të viktimave e krimeve të komunizmit në Shqipëri, Partia Demokratike është tërhequr.

Në projektligjin që mban firmën e 9 deputetëve, demokratët propozojnë që kjo datë të zëvendësohet me 26 Shkurtin, ndonëse në 2010 maxhoranca e drejtuar nga Sali Berisha miratoi asokohe në Kuvend me ligj 20 Shkurtin si ditën e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit.

Firmëtarët e këtij projektligji argumentojnë se kanë përzgjedhur pikërisht këtë datë pasi në vitin 1951 nga regjimi i kohës u pushkatuan 22 intelektualë me pretekstin se kishin hedhur në oborrin e ambasadës sovjetike një copë dinamiti. Njëri prej firmëtarëve të kësaj nisme shpjegon arsyen e tërheqjes.



"Duke parë ndjeshmërinë e ish të përndjekurve, PD e ka tërhequr nismën për ta zgjeruar në kuadër të një grupi pune që ka ngritur. Në po kërkojmë ta shtrijmë më tej dhe jo të heqim data të tjera. Nuk ka asnjë arsye për tu ndryshuar simbolet e Partisë Demokratike" u shpreh Ervin Salianji.

Kritikët thonë pikërisht ketë, që Partia Demokratike po rrëzon simbolet e veta. Kritika të ngjashme me ato kur kjo forcë politike hoqi simbolet e saj në fushatë elektorale. Ish ?ministrja demokrate, Majlinda Bregu përmes një postimi në Facebook thotë se nisja është një tallje e turpshme me dekomunistizimin.

Sipas saj përpara se të ndryshojë datën simbolike të 20 Shkurtit, kryetari i Partisë Demokratike duhet të thotë se përse nuk propozon një projektligj për të ndaluar depërtimin në institucionet e shtetit dhe për të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë, bashkë me Vettingun, ata gjyqtarë dhe prokurorë që sot kanë depërtuar edhe në KLGJ e KLP, të cilët mbajnë vulën e dënimeve politike para rënies së komunizmit. Ajo e pyet kryetarin e PD-së edhe përse nuk u mor vesh kurrë se kush nga grupi antikomunist i Bashës, i dhuroi tre vota Gramoz Rucit që të zgjidhej kryetar Parlamenti.

Ndaj kësaj nisme ka reaguar edhe ish-nënkryetari i demokratëve, Astrit Patozi. Në një postim në rrjetet sociale, Patozi shkruan se propozimi i disa deputetëve për shfuqizimin e 20 Shkurtit që njihet si dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha dhe e përkujtimit të viktimave e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një fyerje për demokratët dhe të djathtët e tjerë për një çështje, që ka të bëjë me konstitucionin dhe historinë e tyre të vjetër dhe të re.

Share This Video


Download

  
Report form