?Mjaft. Deri kur plehrat shqiptare do të ndotin plazhet tona?. Me këtë titull të fortë apelonte në Dhjetor të 2017-ës një nga agjencitë informative më të mëdha kroate ?Veçernji List? që publikoi pamje se si mbeturina shqiptare të hedhura në natyrë kishin udhëtuar deri në Dubrovnik duke vënë në alarm autoritet vendase. Por situata është përsëritur sërish.
Prej disa ditësh në mediat kroate kanë marrë hapësirë këto pamje nga plazhi i Dalmacisë të mbushura me mbetje nga Shqipëria. Nga etiketat e shisheve plastike kuptohet qartë se bëhet fjalë për prodhime shqiptare. Rrymat detare i kanë çuar këto mbeturina nga brigjet shqiptare drejt atyre kroate. Sërish autoritetet janë shqetësuar sepse përveç dëmit natyror ndotja vjen në prag të sezonit turistik për të cilin Kroacia është e njohur botërisht.
Sipas mediave kroate dhe ambientalistëve të këtij vendi bëhet fjalë për tonelata plastike të produkteve ushqimore, por aty ka edhe mbetje spitalore. Ne mediat kroate online, ambientalistët propozojnë që Kroacia duhet të ndihmojë Shqipërinë për të pastruar plazhet dhe lumenjtë nga mbeturinat. Ka edhe nga ata që hedhin idenë se Kroacia duhet të padisë Shqipërinë për dëmin e shkaktuar. Ata e konsiderojnë vendin tonë ?të varrosur nga mbeturinat dhe kjo çështje duhet të marrë zgjidhje një herë e mirë derisa të mos jetë vonë?.
Ky nuk është rasti i vetëm i ndotjes së plazheve kroate. Situatat më te rënda kane qenë ato te vitit 2011 dhe 2015, por shfaqje te tilla janë regjistruar në vazhdimësi. Por përveç mbeturinave, në plazhet kroate nuk kanë qenë të rralla rastet kur kanë dalë në breg edhe ngarkesa me kanabis. Të tilla janë edhe këto pako me kanabis të gjetura pak ditë më parë në bregdetin e Dubrovnikut. Policia vendase tha se dyshon që ato janë hedhur në det nga trafikantët gjatë ndonjë ndjekjeje policore.
Shqipëria është angazhuar disa herë në pastrimin e shtratit të lumenjve dhe brigjeve detare. Aksione pastrimi janë organizuar çdo vit në prag të sezonit turistik, por duket se kjo nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit.