Gjyqtari Gjin Gjoni humb betejën ndaj dy gazetarëve të Shqiptarja.com, gjykata pushon padinë

Report TV 2018-05-12

Views 0

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Gjin Gjoni, ka humbur betejën ndaj dy gazetarëve të gazetës Shqiptarja.com. Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të pushojë padinë e gjyqtarit Gjoni ndaj gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi.

Gjyqtari Gjoni është tërhequr nga padia për dy gazetarët, teksa në seancën e sotme nuk është paraqitur në gjykatë së bashku me avokatët e tij. Gjoni kishte paditur gazetarët Qyno e Doçi, pasi i akuzonte për shkrimet e tyre investigative, me pretendimin se i ishte dëmtuar imazhi dhe i ishte cenuar nderi.

Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, kishin paditur në Gjykatën e Tiranës gazetën Shqiptarja.com si dhe gazetarët Adriatik Doçin dhe Elton Qynon (gazetarë pranë Shqiptarja.com), duke u kërkuar dëmshpërblim për dëm moral, në vlerën 4 milionë lekë.

Gjyqtari Gjin Gjoni, në padinë e tij të qershorit 2017, u referohej disa pasazheve të dy artikujve të gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi, botuar në gazetën Shqiptarja.com, të cilët këta të fundit i kishin të bazuara në burime të mirëdokumentuara dhe faktuara.

Gjin Gjoni pretendonte se me deklaratat e tyre, dy gazetarët dhe gazeta Shqiptarja.com i kanë shkaktuar dëm moral.

Pak kohë më parë, Transparency International, e kishte cilësuar padinë e Gjonit, si një përpjekje e këtij të fundit për të intimiduar mediat.

Share This Video


Download

  
Report form