Përmbytja në Shkodër, ekspertët: Shkarkimet e detyrueshme, rrezikoheshin digat

Channel One Albania 2018-05-12

Views 4

Reshjet e dendura të shiut kanë rritur prurjet në basenet që ishin të tejmbushura nga dimri, ndaj edhe shkarkimet nga tre Hidrocentralet në Drin që përmbytën Shkodrën, ishin të detyruara. Kështu shpjegojnë ekspertët hidroteknikë, në lidhje me arsyet që sollën përmbytje masive në Shkodër.

Situata e krijuar në disa Njësi Administrative në Shkodër, për shkak të përmbytjeve të shkaktuara, ka ardhur si pasojë e shkarkimeve nga basenet e tre hidrocentraleve, Vau i Dejës, Komani dhe Fierza, por edhe reshjevë të dendura të shiut që kanë sjellë prurje shumë të mëdha në basene.

Të këtij mendimi janë ekspertët e fushës së hidroteknikës, të cilët thonë se këto shkarkime ishin të detyrueshme, pasi në të kundërtën do të rrezikoheshin digat, çka mund të sillte pasoja katastrofike.

Dhimitër Vogli, inxhinier hidroteknik: Jemi në fundin e marsit, rastisi dhe është normale që liqenet e hidrocentraleve në lumin e Drinit, Fierza, Koman e Vau i Dejës të ishin në kuota maksimale.

U detyruan që edhe nga Hidrocentralet të shkarkohej uji. Vijimi i shkarkimeve ishte e detyrueshme, ato nuk janë bërë që të mos shkarkohen asnjëherë.

Do ishte problem shumë i madh nëse nuk do të kishte shkarkime. Ata mbajnë nivele të caktuara sasie uji. Për ekspertët, një përmbytje e tillë nuk mund të parandalohej, pasi basenet në këtë stinë ishin të mbushura dhe reshjet e rëna kanë qenë të paparashikueshme.

Dhimitër Vogli, inxhinier hidroteknik: Unë mendoj se jo, nuk mundet të parandalohej, në kushtet atmosferike që u krijuan dhe kohën që ndodhi, kjo përmbytje do ishte.

Përmbytjet u shkaktuan nga shkarkimet, por shkarkimet u shkaktuan nga prurjet shumë të mëdha të shiut. Kjo nuk është se ndodh për herë të parë.

Rritja e nivelit të liqenit të Fierzës, por edhe shkarkimet nga hidrocentralet, sjellin fryrje të Bunës, e cila ka aftësinë të tërheqë jo më shumë se 1500 metër kub ujë në sekond, pa krijuar përmbytje.

Sapo prurja shumëfishohet, përmbytja fillon në Obot, Daragjat, Bërdicë etj, ku vala e përmbytjes arrin deri në det.

Share This Video


Download

  
Report form