Për kreun e avokatëve penalistë, Saimir Vishaj, situata ku ndodhet gjyqësori shqiptar pas shkarkimit të anëtarit të kushtetueses Fatos Lulo kërkon një ndërhyrje emergjente, duke aplikuar mënyrën se si u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm.
Në një intervistë për Report Tv Saimir Vishaj shprehet se jo vetëm kushtetuesja por dhe gjykata të tjera rrezikojnë kolapsin. Vishaj shprehet se Vettingu duhet të jetë një proces që të përfshijë dhe avokatin si dhe të bllokohet e drejta e gjyqtarëve të shkarkuar për të punuar si avokat.
Për mikrofonin e Report Tv, Vishaj ka sqaruar dhe arsyen se përse prej më shumë se një viti, Shqipëria s'ka mundur të zgjedhë gjyqtarin përfaqësues në Gjykatën e Strasburgut. Një ditë më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Fatos Lulo i cili sipas kontrollit rezultoi se nuk justifikonte pasurinë në vlerën e 480 mijë dollarëve dhe një apartament në Kanada.