Partia Demokratike i qëndron versionit se për kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara ka paguar vetëm 125 mijë Dollarë. Shefi i financave të Partisë Demkoratike, Ilir Dervishi, i marrë në pyetje lidhur me dyshimet se lobimi në SHBA u krye me para të oligarkëve rus, tha se ka fimrosur vetëm dy kontrata me Nik Muzin, njëherë 100 mijë Dollarë dhe tjetra 25 mijë Dollarë.
Këto kontrata, sipas Dervishit, janë të deklaruara në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ndërsa për pagesat e pretenduara prej 500 mijë Dollarë ndaj 'Biniata Trade', Dervishi ka sqaruar se nuk ka dijeni.
Për çështjen e influencave ruse në politikën shqiptare, u fol edhe në seancën e Parlamentit, ku Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama lëshuan akuza të ndërsjellta.
"Jam i hapur për hetim parlamentar. Gje ti një kontakt të PD me oligarkët rus. Por nëse prokuroria s?do ishte e kontrolluar nga ty, do kishte hapur hetimin për një ministër i cili i ka nisur banditë në emër të Juremeksit, një biznesmeni. Pse Abi Bank, ku është bashkëshortja jote, po blen banka, ndërkohë që fondet vijnë nga Kremlini? Hajde bëjmë hetim parlamentar për influencat ruse se ku i ka futur kthetrat ariu", tha Lulzim Basha.
"Sa për komisionin parlamentar, çështja ka kaluar kufijtë. Prandaj ju thashë mos qeshni dhe i vetmi që nuk qesh është lideri dixhital. E ka të qartë ai, se e di ai që PD këtu nuk hyn. Këtu je i vetëm përballë shqiptarëve, mos thuaj hajde bëjmë komision parlamentar dhe hetojmë Abi Bank", u përgjigj Kryeministri.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht pas publikimit në media për kontratat e lobimit të PD-së, që pas kompanisë Biniata Trade qëndronin shtetas rus.