36 urdhër ndalime ka lëshuar Prokuroria e Kukësit për protestën e ditës së shtunë e cila degjeneroi në dhunë dhe shkatërrimin stacionit ngritur nga firma koncesionare për kalimin me pagesë në rrugën e kombit.
23 prej urdhër ndalimeve janë ekzekutuar nga policia gjatë natës, dhe po punohet edhe për ndalimin e 13 personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim.
Të gjithë janë banues të Kukësit dhe fshatrave të tij.
Gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të diele në Kukës ka patur prani të shtuar të policisë ku reparti i Forcave Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ai i RENEA-s kanë qenë të stacionuara në disa rrugë të qytetit.
Situata jashtë drejtorisë së policisë së Kukësit ka qenë e tensionuar. Familjarët e të ndaluarve u mblodhën që në mëngjes herët, pasi nuk kishin informacion se çfarë kishte ndodhur me të afërmit e tyre dhe kërkuan që të lirohen.
Të njëjtën kërkesë i paraqitën Drejtorit të Policisë se Kukësit edhe disa deputetë të opozitës.
Një reagim për situatën e pati dhe kryetari i bashkisë së Kukësi, i cili lirimin e qytetarëve të ndaluar e vuri si kusht për t?iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit Rama për t?u takuar ditën e hënë, për të diskutuar mbi këtë çështje.
Ndaj personave te ndaluar janë ngritur akuzat e shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimin e forcave të policisë. 12 efektive të policisë ngelën të plagosur nga përplasja e të shtunës, ndërsa u lënduan edhe disa protestues.